Emra Ne Zgrip

Emra Ne Zgrip

B20630
Out-of-Stock
800 Lekë
Bujar Balliu
ISBN: 9789928033093
Publisher: Uegen
Publication Year: 2017
Number of Pages: 244

Kush do jetën, duhet të dashurohet me lojën e saj të lidhjeve të gërshetuara dhe ta marrë shtruar. Këtë duan të thonë dramat thellësisht njerëzore të tregimeve “Hëna trazon hijet”, “Çmimi i baltës”, “Në gjurmë të një fytyre” ku, më shumë se fabula rrëfimore, shpërfaqen gjendje në zgrip përjetitimesh dhe fatesh të njerëzve të jetës sonë të përditshme. Ndërkohë që, në proza të tjera, projektohet poezia melankolike e përpjekjeve dhe përsëritjes ekzistenciale, me pasionin e qenies, të ndjenjave, të zakoneve, të vendeve, që kërkon t’ia rrëmbesh jetës që rrjedh. (“Kuota zero”, “Vdekja josh”, “Qelq”).Te tregimi i parë “Dhembjes nuk i mjafton një trup”, humanizmi ndriçon në amoralitetin e sotëm shoqëror, si flakërim që, (edhe pas vdekjes), i shkon nga pas.
Kështu, koha letrare ndjek veprimin, nga paragrafi në paragraf, në imazhe vizive, nga e shkuara në të tashme, përmes kohës së jashtme të rrëfimit, që ndërthuret me kohën e brendshme psikologjike emotive të refleksionit e meditimit të protagonistit, të cilat projektohen në kohën e jashtme objektive të lexuesit dhe kohën e tij të brendshme të përjetimit të thellë afektiv.
Përpëlitjet e valës, dritësimet e fshehta të ujit, ato rreze gati të padukshme, i kujtonin se nuk mund të bënte si gjithë të tjerët. Dallga merr frymë nga gjoksi i gjerë i liqenit, përhap aromë që magjeps gjithçka, veç trupit të tij tharë nga çdo lloj joshjeje.(Vdekja josh).
Narrativa tregimtare ndërthuret me prozën poetike, alegorinë sociale (veçanërisht, kjo e fundit tek proza e gjatë “Sagë qensh”) dhe plazmimet psikologjike me përsiatje meditative (intelektuale dhe të sentencash të urtësisë e shprehësisë proverbiale). Ky poetizim i frazës prozodike, përmes leksikut të figurshëm metaforik, shtrihet në të gjithë teksturën rrëfimore, të tregimeve, sa që frazat ritmike jehojnë me kumbime fonetike si vargje poemash dramatiko - lirike.
Dhimbja depërtoi kockën si grusht i nxehtë shpuze. Aty mbeti përvëluese. (Nën peshë paradoksesh).
Fshehtësia e thellësive të liqenit gjuan me shigjeta dritëzash. Shtrëngesa mes maleve nuk e fashit joshjen dhe madhështinë. (Vdekja josh).
Ulur galiç sodit yjet. Secili prej tyre kishte fatin e vetmuar. Po me dritë. Ndërsa fati i tij nxin. As për në tokë, as për në qiell. (Sagë qensh).
Kjo prozodi narrative, me gurgullimën melodike të shqipes së letrarësisë, sintaksën lakonike dinamike dhe shprehësinë e figurshme eliptike, arrin në nivele të tilla të energjizmit poetik që na kujtojnë ritmikën e mrekullueshme rrëfimore të kryeveprës kuteliane, (të ngritur mbi shenjime folklorike), “E madhe është gjëma e mëkatit”, si, bie fjala, në mbyllje të tregimit “Në gjurmë të një fytyre”:
Por poetika e kësaj proze, që rrjedh nëpër hullitë moderniste, shpërfaqet jo vetëm në strukturat sintaksore të estetizuara eliptike, por dhe në leksikun e përzgjedhur të metaforizuar e metonimizuar stilistikisht, (gremina e një reje, “Vdekja josh”; bloza e gjumit, “Pre”; buzëve të qelqta kanë ngrirë kristalet e puthjeve, “Qelq”; duke shtyrë me bërryl trurin e mërzitur, “Sintaksë siluetash”; etj.) dhe gjer në titujt e prozave të përmbledhura në “Emra në zgrip”: (“Qelq”, “Brejtësi nuk nënqesh”, “Sintaksë siluetash”, “Të shtunës i merren këmbët”, “Orë të mbetura stok” etj.), duke krijuar përjetim të fortë me energjizmin gjuhësor të fuqishëm, të kthjellët e të pastër si prej alabastri.
“Emra në zgrip” krijon shenjë letrare në artin e sotëm të narrativës shqiptare, me patos të gjallë, me fuqinë dhe autoritetin e shkrimit autorial të një dinjiteti artistik të lartë.
Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.