Margaritari I Nje Cmendine

Margaritari I Nje Cmendine

B21109
800 Lekë
Salvator Gjeci
ISBN: 9789928222848
Publisher: Botimet Fishta
Publication Year: 2019
Number of Pages: 315

Një letër anonime me fotografinë e pikturës nudo të Ana Bokjanit i mbërrin Martin Alkut, një piktor i arratisur prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Këtu zë fill subjekti i romanit që shtjellon për lexuesin fatin e një dashurie plot dramacitet e peripeci, e cila të rrëmben nëpër shtigje plot të papritura, me një mori ndodhish drithëruese. Dendësia e ngjarjeve në roman dhe situatat nëpër të cilat kalojnë personazhet na e jepin të qartë me të gjitha ngjyresat egërsinë e luftës së klasave dhe fytyrën kriminale të sistemit të shkuar komunist, por edhe ashpërsinë dhe absurdin e periudhës pas rënies së diktaturës. Krahas linjës kryesore të dashurisë midis Martinit dhe Anës, në roman trajtohen edhe linja të tjera paralele, thurur me mjeshtri. Këto linja lidhen fort njëra me tjetrën, në funksion të ngjarjes kryesore, duke e bërë subjektin tepër tërheqes, gjithë kolorit, të plotë e mjaft solid. Në roman ndeshim vende, ngjarje e personazhe të thekur e mjaft interesantë, të cilët shtrihen deri thellë në kohët e shkuara. Aty shohim një panoramë krejt ekzotike për lexuesin, që sjell me ndjenja të forta një atmosferë letrare plot “realizëm magjik”, me zakone, tradita, legjenda e mite që të trondisin thellë, por njëkohësisht edhe të mahnisin me bukurinë e tyre. Në pjesën e parë të romanit, teksa Martini përndiqet nga funksionarët e Partisë, ndeshim personazhin më interesant: Nusen e Stomit të Vaut, e kthyer në një legjendë të gjallë. Ndeshim Plakun e Nikajve, një ish i burgosur politik, i cili rrëfen histori të moçme e magjike. Njihemi edhe me lahutarin Prekan, si dhe me plot personzhe të tjerë që spikasin edhe kur prezenca e tyre në ngjarje është mjaft e shkurtër. Mbi të gjithë spikat shoku Marenglen Caliko, një intrigant i pashoq, strumbullari dhe personazhi kyç i ngjarjeve në roman. Ky personazh, i cili tipizon fytyrën e vërtetë të pushtetit të kohës së komunizmit, por edhe të kohës së pluralizmit, është skalitur me një mjeshtri të rrallë artistike. Ndoshta është ndër të paktët personazhe në letërsinë shqipe që arrin të mbajë pothuaj i vetëm balancën e konfliktit në të gjitha ngjarjet e romanit, të cilat vijojnë vrullshëm deri në vitet e para të pluralizmit. Në pjesën e dytë, protagonizmin e merr deri në njëfarë mase Klara, një grua e bukur dhe me kulturë, por e divorcuar nga i shoqi, i cili në periudhën e komunizmit i kishte përkitur nomenklaturës së lartë. Ky personazh na e sjell mjaft të dukshëm luksin, boshësinë dhe falsitetin e jetës së asaj nomenklature, por edhe fatin e një gruaje të pazakontë në një periudhë të çmendur. Ritmi i rrëfimit në roman, begatia e ngjarjeve, gjuha e rrjedhshme e autorit, plot larmi e figuracion, skalitja e personazheve në një mënyrë tepër origjinale, në kuptimin fizik e psikologjik, të gjitha këto të lidhin e nuk të lënë ta lëshosh librin nga dora. Të gjitha linjat e subjektit vijnë e fokusohen në një pikë, gërshetohen mjaft bukur dhe bëhen kurorë plot ngjyra e nota dhimbjesh drithëruese. Librin e përshkon tej e mbanë një ironi therëse, e mbajtur bukur në masë, në tonalitetet e në shije djegëse, pa rrëshqitur askund në grotesk. Subjekti i kësaj vepre është një skanim plot detaje i atyre kohëve ku janë vendosur ngjarjet. Në të është parë imët nga brenda trupi i sëmurë i shoqërisë. Syri i mprehtë i sondës së skopisë, i cili lëviz nga individi më i thjeshtë deri në zemër të pushtetit, zbulon qartë e me një rrëfim elegant mjaft gjëra.
Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.