Shenja E Shenjte

Shenja E Shenjte

B16403
800 Lekë
Thanas Dino
ISBN: 9789928426833
Publisher: Neraida
Publication Year: 2015
Number of Pages: 334

Nga Josif Papagjoni
Pas romanit “Nata me dy hëna” (2012) si dhe dhjetë librave me publicistikë letrare, romani i ri i Thanas Dinos “Shenja e shenjtë” sjell lëndën e një jete mes kujtesave të dridhshme etnologjike, historisë, miteve, zakoneve të njerëzve që shkojnë e vijnë kufijve të dy vendeve e popujve: Greqisë e grekëve me Shqipërinë dhe shqiptarët. Një temë vërtet interesante, e pa kapur më herët në letrat shqipe në formën e një romani të plotë, një mozaik bëmash e gjëmash, njerëzish e karakteresh, sjelljesh e zakonesh, historish të vërteta dhe historish të tretura në memorien kolektive në formë baladash, mitesh, legjendash, këngësh, letërsi orale. Roman që synon të veçantat e një bashkësie etnike njerëzish: ajo çka është bulbore, e ëndërrt madje, e kthyer në materie prej shpirti lëndonjës, sa dhe në rrëfime fatesh njerëzore konkrete, në histori familjesh e fshatrash të njohura të minoritetit grek në Shqipëri, ndryshimet religjioze dhe marrëdhënia e dy etnive me besime të ndryshme, të krishterë e myslimanë. Një roman me disa linja, disa hapësira veprimi, disa breza njerëzore e në disa kohë, ku vibron shpirti përbashkues i etnisë, gjaku i ëmbël dhe gjaku i thartë, në pohimin e rrënjëve dhe vetjakësisë, në kërkim të ekzistencës dhe ardhmërisë, më në fund në kërkim të dashurisë dhe domosdosë për bashkëjetesë e mirëkuptim mes etnive, popujve, kombeve.
Njeriu është më së pari njeri. Kjo është megashenja e tij, ajo çka e bashkon me gjithë sivëllezërit, përtej kombit dhe ngjyrës së lëkurës, përtej racës dhe dallimeve fetare, përtej ideve, përkatësive politike, klasore, moshore, gjinore, pasurore etj. Mençuria e pohon këtë, siç e ka pohuar me linjat e historive dhe subjektit të vet edhe romani i Th. Dinos. Por, nga ana tjetër, ndonëse “po i njëjti”, njeriu bashkohet në një fis, etni, komb, popull, duke shprehur e ruajtur diçka thellësisht të “tijën”, përveçuese, atë që shkrimtari e quan në mënyrë metaforike “shenja e shenjtë”, nënkupto identitetin etnik. Një shumësi ngjarjesh në një shumësi personazhesh, sa dramatike, sa komike, që kanë aromën e tyre dhe duken shpesh të papërsëritshme, të habitshme, që të bëjnë edhe të qeshësh, edhe të trishtohesh, edhe të mendohesh thellë. Mëpastaj në roman përshkruhen rituale të shumta fetare e sociale, dasma e festa, dashuri të fshehta e dashuri që sfidojnë statuset morale dhe tradicionale… Më tutje vijnë drithërimat nga lufta italo-greke, Lufta e Dytë Botërore, tmerret e saj, lëvizjet e njerëzve për t’i shpëtuar vdekjes, betejat dhe heroizmi, vdekja dhe përtëritja e jetës breznive…
Romani “Shenja e shenjtë” nis në formën e një kronike nën titullin “Zjarri i vjetër, familja me ikonë”, ku rrënjëzohen fillesat e fisit dhe aradhet e gjakut; duket sikur lexon diçka nga pergamenat dhe kronikat mesjetare: të sakta e të vërteta. Rrëfimi është bërë enkas i tillë dhe më tutje, në nyjat e shumta, herë pas here autori sikur kujtohet për këtë mënyrë dhe e rimerr në forma të tjera, duke risjellë në vëmendje “pluhurin” e dosjeve dhe kronikave të rrjedhës së fisit dhe bëmave të njerëzve të tij. Historia nis në mesin e shekullit XIX, ecën mes viteve të turbullta të fundit të pushtimit turk, vjen në çastin e madh të formimit të shtetit shqiptar me gjithë rrëmujën dhe rrëmetin e Luftës Ballkanike dhe asaj botërore, epohet më tej me ndryshime marrëdhëniesh, përzierje gjaku, raportin me tokën, cubëritë, martesat, puna dhe zejet, vendosja e kufijve dhe lëvizja e tyre duke ndarë bashkësi njerëzish sa nga njëra anë në tjetrën, rrjedhimisht, duke sjellë probleme, brenga, dasi, halle, ndarje. Lëngu i gjithë kësaj historie shpesh të hidhur bëhet i ëmbël nga malli, dashuria, ndjeshmëria dhe estetika e shkrimtarit.

18 other products in the same category:

Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.