Te Drejtat E Njeriut Dhe Konstitucinalizmi

Te Drejtat E Njeriut Dhe Konstitucinalizmi

B23283
2.000 Lekë
Denar Biba
Publisher: Uet Press
Publication Year: 2021
Number of Pages: 347

Njerëzit, si në Shqipëri edhe gjetiu, shpesh ngrenë pretendime e parashtrojnë kërkesa duke iu referuar të drejtave të njeriut si bazë të tyre, por pa dhënë asnjë përligje në lidhje me to, duke harruar apo mos vlerësuar se, thjesht shpallja e një të drejte, pa e argumentuar atë, nuk është e mjaftueshme për t’i detyruar të tjerët (kushdo qofshin ata) të sillen në respekt të asaj të drejte të prezumuar. Gjithashtu, është e zakonshme tashmë, që njerëzit të përpiqen t’i mbështesin pretendimet e tyre tek një e drejtë apo një tjetër e cila, sipas tyre, iu takon si “qenie njerëzore”, ndërkohë që, sipas Freeman “nuk ka një përkufizim mbarë botëror e të gjithë pranuar të konceptit [qenie njerëzore], veçanërisht në lidhje me derivatët moralë të tij”.
Të drejtat e njeriut sidoqoftë ekzistojnë dhe, shumë prej nesh, supozohet se sillemi në përputhje e respekt të detyrimeve që burojnë prej tyre. Asnjë mbështetës i të drejtave të njeriut nuk do të mund të ankohej ndaj këtij perceptimi, i cili, më së paku, është një këndvështrim pragmatist, por i vlefshëm, për kauzën e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, ka gjithmonë arsye për të qenë të shqetësuar në lidhje me justifikimin e të drejtave të njeriut. Një qasje, e cila mund të konsiderohet si filozofikisht naive ndaj të drejtave të njeriut, praktikisht i shpjegon ato si të drejta të ardhura nga legjislacioni. Afërmendsh, vlefshmëria e të drejtave të njeriut është e lidhur ngushtë, madje e varur nga kodifikimi i tyre ligjor. Megjithatë – sikundër është argumentuar në krerët pararendës, qasja sipas të cilës “të drejtat e njeriut ekzistojnë sepse janë të parashikuara nga kushtetuta”, nuk është e mjaftueshme për të justifikuar të drejtat e njeriut. Madje, nëse ne do ta konsideronim kushtetutën e një vendi si burimin e vlefshmërisë së lirive e të drejtave të njeriut, do të gabonim, duke qenë se, rrjedhimi logjik i këtij prezumimi është fakti se, kur kushtetuta në fjalë pushon së ekzistuari, atëherë edhe liritë e të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë më(!). Mund të ndodhë që, për një periudhë të caktuar kohore, apo ndoshta për gjatë gjithë jetës së një njeriu, atij t’i mohohen disa të drejta dhe liri njerëzore. Historia e çdo populli – e atij shqiptar deri vetëm përpara pak dekadash – është e mbushur plot me shembuj sesi njerëzit kanë dorëzuar përkohësisht një pjesë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore, të detyruar nga dhuna shtetërore, apo kanë zgjedhur të mos i ushtrojnë përkohësisht ato për të shmangur dhunime të mëtejshme e deri humbjen e jetës. Por, është dashur vetëm ndryshimi i parametrave politikë që, identikisht po të njëjtët individë t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre. Në këtë kontekst, mund të themi se, këto liri dhe të drejta janë pasuri e brendshme e njeriut, ato veçse mund të “pezullohen”, por nuk mund të zhduken. Edhe në rastin e një individi të lindur skllav, i cili jetoi dhe vdiq si i tillë, sërish, askush nuk mundi t’ia mohojë atij të gjitha liritë e të drejtat njerëzore, si p.sh. të drejtën për të besuar, pasi ato janë kaq të brendshme tek çdo individ sa edhe zemra e truri i tij. Kështu, edhe gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, kur e drejta e pronës u kufizua jashtëzakonisht shumë, sërish, thelbi ekstrem i të drejtës së pronës, ai pronësisë mbi trupin, mbeti i paprekur.
Ndaj edhe meriton të theksohet se, “vlefshmëria e të drejtave të njeriut nuk varet në asnjë lloj mënyre nga qenia ose jo e tyre të konstitucionalizuara”. Siç vëren edhe juristi e filozofi i famshëm gjerman, Robert Alexy, “vlefshmëria morale e të drejtave të njeriut mund të shoqërohet nga vlefshmëria e tyre pozitive, që konsiston në norma të përshtatshme legale të cilat shërbejnë për t’i bërë ato shoqërisht të efektshme. Shembuj të tillë janë Konventat e OKB (1966), KEDNj (1950), Karta e të Drejtave Themelore e BE (2000 e 2007) dhe Ligji Bazë i Republikës Federale Gjermane (1949). Por, transformime të tilla të të drejtave të njeriut në ligje pozitive nuk mund të konsiderohen kurrë si zgjidhje përfundimtare. Ato janë përpjekje për tu dhënë atyre një formë institucionale, për të sjellë siguri përmes të drejtës pozitive, e që sidoqoftë, janë të vlefshme veçse nëse i qëndrojnë korrekte të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, “të drejtat kushtetuese” duhet të përkufizohen si “të drejta që janë regjistruar në një kushtetutë” me qëllim transformimin e të drejtave të njeriut në të drejta pozitive – apo, në fjalë të tjera, me qëllim për të pozitivizuar të drejtat e njeriut.”
Rrjedhimisht, të drejtat e njeriut mbeten të vlefshme e prodhojnë legjitimet të veprimeve të bazuara tek to edhe nëse nuk gëzojnë status kushtetues apo bien ndesh me mënyrën sesi janë përkthyer në norma të së drejtës pozitive, duke qenë se është pikërisht përputhshmëria me të drejtat e njeriut (si koncept universal, abstrakt) çfarë i jep vlera demokratike një kushtetute, e jo anasjelltas.
Të drejtat e njeriut origjinuan si të drejta morali. Ato pretendojnë për vlefshmëri kudo e për këdo, pavarësisht nëse janë njohur ligjërisht, apo nëse gjithkush është dakord ose jo me kërkesat dhe parimet e tyre. Kësisoj, ne nuk mund ta shtrojmë pyetjen mbi vlefshmërinë filozofike të të drejtave të njeriut duke u mbështetur vetëm mbi vëzhgime empirike të botës, pra si dhe sa respektohen ato. Si një doktrinë morali, të drejtat e njeriut e demonstrojnë vlefshmërinë e tyre si rregulla, e jo si fakte. Në mënyrë që të arrihet kjo, ne duhet t’i drejtojmë sytë nga filozofia.
Ka disa arsye për të eksploruar koracën filozofike të legjislacionit mbi të drejtat e njeriut. Së pari, pasi qasja e shumëkujt ndaj të drejtave të njeriut të sendërtuara në të drejtën ndërkombëtare apo atë kushtetuese ka gjasë të mbetet sipërfaqësore dhe e paqartë, përsa kohë ai nuk njeh e nuk kupton filozofinë që iu dha atyre formë. Së dyti e në vijim, është e arsyeshme të themi se, nëse dikush e kupton ligjin të cilit i drejtohet, atëherë ai mund të jetë më i bindur ndaj autoritetit që e bën këtë ligj të detyrueshëm dhe, së treti, të kuptuarit e bazave filozofike të së drejtës ndihmon në realizimin e një terminologjie unike, e cila iu lejon më tej individëve kudo që ndodhen t’i flasin njëri tjetrit përtej pengesave që ngre besimi, dogma apo ideologjia përkatëse, çka është një ushtrim i nevojshëm për njohjen dhe pranimin e parimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

18 other products in the same category:

Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.