Marksizmi Dhe Krishterimi

Marksizmi Dhe Krishterimi

B22916
900 Lekë
Alasdair Macintyre
ISBN: B22916
Publication Year: 2021
Number of Pages: 154

MacIntyre është një nga filozofët më të rëndësishëm perëndimorë të fundshekullit XX. Kontributi i tij në filozofinë e moralit, veçanërisht me trilogjinë "After Virtue" (1981), "Whose Justice? Which Rationality?" (1988) dhe "Three Rival Versions of Moral Inquiriy" (1990), mbetet një ndër më të rëndësishmit në këtë disiplinë, dhe më gjerësisht në traditën e filozofisë analitike.
Në "Krishterimi dhe marksizmi", MacIntyre analizon lidhjet, ngjashmëritë dhe dallimet midis dy metanarrativave kryesore të perëndimit.
Duke analizuar përmbajtjen dhe funksionet e marksizmit (dhe paralelet e këtyre me krishterimin), autori merr më gjerësisht në shqyrtim qasjet e mendimit politik modern ndaj marksizmit. Ai përpiqet të qëmtojë origjinat e botëkuptimit marksist në mendimtarë si Hegeli dhe Fojerbahu, për të marrë mandej në analizë disa tema kyçe të Marksit, disa prej kontradiktave të brendshme në filozofinë e tij, e më tej disa variante filozofike dhe tipare politike të marksizmit (nga Trocki, Lukesmburg, deri te Llukaç).
Më poshtë një fragment i shkurtër nga teksti.
*
Në shkrimet e tij të hershme, Hegeli është marrë me dallimin mes fesë së lashtë greke dhe krishterimit. Për Hegelin, qyteti grek pat qenë edhe shoqëri fetare, edhe politike. Në gjirin e saj nuk ka ekzistuar "feja e individit privat", që i kundërvihej fesë së shoqërisë. Ky unitet i individit dhe komunitetit mbështetej në një kontekst ku hyjnorja dhe njerëzorja, fetarja dhe politikja ishin po ashtu një e tërë. Për grekët e antikitetit nuk kishte kundërshti midis Zotit dhe njeriut. Feja greke flet për imanencën hyjnore, dhe shteti – në të cilin hyjnorja është imanente – është bashkim i individit dhe shoqërisë. Në kontrast të theksuar me këtë, qëndron bota e krishterë, që karakterizohet nga kundërshtitë e veta midis individit dhe shoqërisë, kishës dhe shtetit, ku feja shndërrohet në çështje e individit privat. Gjatë kësaj epoke, Zoti dhe njeriu shihen tanimë si konceptime kundërshtuese, dhe feja flet për transhendencë hyjnore. Pyetja që ngre Hegeli në shkrimet e tij të hershme, "Jugendschriften", i përket natyrës dhe domethënies së kalimit nga bota greke tek ajo e krishterë. Përgjigjja që jep në këto shkrime të hershme bazohet në idetë e tij për marrëdhënien e Jezuit me judaizmin. Kombi hebre është një popull që më shumë se cilido tjetër e ka materializuar ligjin: thelbi i asaj çka shkruhet në zemrat e njerëzve shndërrohet prej tyre në rregulla formale, në ligj të shkruar. Ky sendëzim i ligjit është pasojë e tëhuajësimit të njeriut dhe natyrës, që ilustrohet simbolikisht në historinë e Abrahamit, i cili largohet prej farefisit dhe bën jetë endacake, pa pasur asnjë lidhje të përcaktuar me persona apo vende. Jetërsimi i popullit çifut i ka çuar ata të sendëzojnë ligjin e qenësisë së tyre. Në të kundërt, Jezui predikon një ligj të brendshëm, i shkruar në zemrat e njerëzve, dhe për pasojë përbën një tejkalim të tëhuajësimit çifut. Mirëpo ky predikim refuzohet prej çifutëve. Kështu Jezui e lë mënjanë detyrën e shëlbimit të kombit dhe, përmes predikimit të tij, i kthehet shpëtimit të individëve. Kjo është rrënja, në pikëpamjen e Hegelit, e karakterit individualist të krishterimit dhe, si pasojë e këtij individualizmi, krishterimi është një fe që e ka shpërnjohur politiken dhe i kundërvë institucionet politike me ato fetare. Kështu, brenda botës së krishterë ekziston një trashëgimi jetërsim dhe tëhuajësim që manifestohet në konfliktet mes kishës dhe shoqërisë. Krishterimi ka sendëzuar hyjnoren, e ka kundërvënë atë ndaj kësaj bote dhe asaj çka i përket asaj dhe ka sjellë një fe përtej tokësore dhe transhendentale. Krishterimi përmban në brendësinë e vet simbolet e pajtimit të njeriut me veten, të kthimit te vetja, mirëpo është ai vetë pjesë e këtij tëhuajësimi. Për Hegelin, krishterimi është thjesht një fill për të kuptuar natyrën e shëlbimit përfundimtar të njeriut.

Customers who bought this product also bought:

18 other products in the same category:

Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.