Origjina E Botes Camera Obscura

Origjina E Botes Camera Obscura

B17109
800 Lekë
Luan Rama
ISBN: 9791094814017
Publication Year: 2016

Pjese nga libri:
... Atë të hënë në mbrëmje duhej të shkonte në një ekspozitë që hapej në “Les Halles”, pranë “Qendrës Kulturore George Pompidou”. Ishte një mjedis që asaj i pëlqente, një vend plot gjallëri e të rinj, me shatërvanin e madh në mes dhe artistë të rrugës që u binin violinave apo kitarave. Por atë ditë ndjente se e kishte pushtuar një lodhje e çuditshme dhe vendosi të kthehej në shtëpi. Ishte një nga ato ditët kur ajo e ndjente veten krejt të zbrazët dhe pa asnjë lloj dëshire. “Ndoshta ngaqë jam në prag të menstruacioneve”, kërkonte ti mbushte mendjen vetes. Por në thellësi e ndjente se kjo ishte diçka më shumë. Ndoshta mungesa e Fredit. Me siguri…
Kur hyri në shtëpi dhe ndezi televizorin, u befasua menjëherë nga pamjet që po transmetoheshin: një tablo ku shquhej me sa dukej trupi i gjymtuar i një gruaje, me këmbët e hapura dhe seksin e saj në plan të parë. Pamja lakuriqe e habiti pa masë, ndërkohë që spikeri fliste për tablonë e gjetur më së fundi të Gustav Kurbesë, e cila i dhurohej muzeut të Orsay-t nga familja e Silvia Bataj. Në ceremoni, dukej dhe ministri i Kulturës, i cili përuronte hyrjen e tablosë në fondin e muzeut dhe që përshëndeste të pranishmit në sallë. Lajmi u mbyll sërrish me pamjen e tablosë dhe fjalët e spikerit: “Kjo tablo i ishte komanduar Kurbesë nga ish ambasadori turk i asaj epoke në Paris, Halil Beu, i cili rridhte nga familja e Mehmet Ali Pashës së Egjiptit”…
Televizioni po jepte pamje të tjera, por ajo qëndronte gjithnjë si e shtangur, me sytë e mbërthyer drejt ekranit dhe bluzën e hequr që e mbante gjithnjë në duar. Përpiqej ti rikthente në imagjinatë imazhet që sapo kishte parë, si në një bobinë filmi. Ajo e njihte mirë piktorin Kurbe dhe epokën e impresionistëve, kishte parë disa albume të tij, por gjëkundi nuk kishte pikasur madje as kishte lexuar për ekzistencën e një tabloje të tillë. QuhejOrigjina e botës. Pas më shumë se një shekulli, ja ku zbulohej tabloja e humbur. Ç’të kishte ndodhur vallë me të? Përse ishte mbajtur e fshehur?
Në shekullin e XX nudot nuk ishin më një tabu: surealistët, post-surealistët, avangardistët e të gjitha shkollave, tashistët, fovistët, etj, të gjithë kishin përcjellë imazhet e tyre rreth nuditetit të femrës, seksit të saj. Magjithatë, ajo pamje që sapo kishte parë dallohej nga të gjitha. Ishte krejt e veçantë dhe shumë realiste.
Menjëherë iu kujtua Edi, të cilin e kishte përcjellë dy javë më parë. Shoku i saj i Arteve të Bukura, kishte ardhur në Paris pas një ekspozitë të tij në Amsterdam dhe tani kthehej për të organizuar një ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Do të quhej “Post-Eva”.

18 other products in the same category:

Product added to wishlist
Product added to compare.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.