Njoftim Ligjor

“International Legal Framework” për mbrojtjen të dhënave personale si rrjedhojë e komunikimeve në internet.

     A. Deklarata 28 Majit 2003, e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi lirinë e komunikimit në internet. Disa nga parimet e sanksionuara në Deklaratën mbi lirinë e komunikimit në internet  janë:


Parimi 1
- Rregullat e përmbajtjes për internetin: Shtetet anëtare nuk duhet ta nënshtrojnë përmbajtjen në internet ndaj kufizimeve të cilat shkojnë më larg se ato që zbatohen në mjetet e tjera të bartjes së përmbajtjes.


Parimi 3
- Mungesa e kontrollit të mëparshëm shtetëror: Autoritetet publike nuk duhet që, përmes masave të përgjithshme të bllokimit ose filtrimit, të mohojnë qasjen e publikut ndaj informacionit dhe komunikimeve të tjera në internet, pavarësisht nga kufijtë. Kjo nuk ndalon instalimin e filtrave për mbrojtjen e të miturve, posaçërisht në vende ku ata mund të kenë qasje, siç janë shkollat ose bibliotekat.


Parimi 6
- Përgjegjësia e kufizuar e ofruesve të shërbimeve për përmbajtjen në internet: Shtetet anëtare nuk duhet të caktojnë mbi ofruesit e shërbimeve një detyrim të përgjithshëm për të monitoruar përmbajtjen në internet ndaj së cilës ato ofrojnë qasje, të cilën ato e transmetojnë ose e ruajnë, e as për të kërkuar në mënyrë aktive fakte ose rrethana që tregojnë aktivitete të paligjshme. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve të mos jenë përgjegjës për përmbajtjen në internet kur funksioni i tyre është i kufizuar. Në rastet kur funksionet e ofruesve të shërbimeve janë më të gjera dhe ata ruajnë përmbajtje që vjen nga palë të treta, atëherë  shtetet anëtare mund t’i ngarkojnë ata si bashkëpërgjegjës në qoftë se ata nuk veprojnë me shpejtësi për të hequr ose çaktivizuar qasjen ndaj informacionit ose shërbimeve sapo të vihen në dijeni, siç përkufizohet nga e drejta kombëtare, për natyrën e paligjshme ose, në rast kërkese për dëmshpërblim, për faktet ose rrethanat që tregojnë paligjshmërinë e aktivitetit ose informacionit. 


Parimi 7
- Anonimiteti: Për të siguruar mbrojtje dhe për të shtuar shprehjen e lirë të informacionit dhe ideve, duhet të respektohet vullneti i përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre. Kjo nuk i ndalon shtetet anëtare të marrin masa që të gjurmojnë ata që janë përgjegjës për vepra penale.

     B.  Rekomandimi CM/Rec(2007)16 në lidhje me masat për promovimin e vlerës së shërbimit publik në internet. Komiteti i Ministrave rekomandon që interneti mundet, nga njëra anë, të shtonte në mënyrë domethënëse ushtrimin e disa të drejtave të caktuara të njeriut dhe lirive themelore njëkohësisht që mundej, nga ana tjetër, të ndikonte negativisht tek këto të drejta si dhe tek të drejta të tjera të tilla. Ai rekomandoi që Shtetet anëtare të hartonin një kornizë të qartë ligjore që përcaktonte kufijtë e roleve dhe përgjegjësive të të gjithë aktorëve kyçë në fushën e informacioneve dhe teknologjive të reja të komunikimit.

     C.  Rekomandimi CM/Rec(2011)7 i Komitetit të Ministrave për Shtetet anëtare mbi një nocion të ri të mediave. Komiteti i Ministrave, rekomandon që shtetet anëtare të kenë parasysh të shqyrtojnë nevojat rregullatore në lidhje me të gjithë aktorët që ofrojnë shërbime ose produkte në ekosistemin medial në mënyrë që të garantohet e drejta e njerëzve për të kërkuar, marrë dhe përcjellë informacione në përputhje me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për t’u ofruar atyre aktorëve mbrojtjet përkatëse kundër ndërhyrjes që mund të ketë efekt negativ mbi të drejtat e Nenit 10, përfshirë situatat të cilat rrezikojnë të sjellin vetcensurë të panevojshme;

     D. Direktiva për tregtinë elektronike 2000/31/EC. Direktiva parashikon se lëvizja e lirë e shërbimeve të shoqërisë së informacionit në shumë raste mund të jetë pasqyrim i veçantë i një parimi më të përgjithshëm, pra i lirisë së shprehjes siç mishërohet në Nenin 10(1) të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Kjo Direktivë në nenet 12-14 trajton nocionet për "shërbimet e shoqërisë së informacionit", për "ofruesin e shërbimi", etj. Në të sanksionohet përgjegjësia e ofruesve të ndërmjetëm të shërbimit, si dhe mos detyrimi i përgjithshëm për të monitoruar informacionin që transmetojnë ose ruajnë, as për të kërkuar fakte ose rrethana që tregojnë aktivitete të paligjshme. Shtetet Anëtare mund të caktojnë detyrime për ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit që të informojnë menjëherë autoritetet kompetente publike rreth aktiviteteve të pretenduara ilegale të ndërmarra ose rreth informacionit të dhënë nga pranuesit e shërbimeve të tyre ose detyrime për t’u komunikuar autoriteteve kompetente, me kërkesë të tyre, informacione që mundësojnë identifikimin e pranuesve të shërbimeve të tyre me të cilët kanë marrëveshje ruajtjeje.

     E. Direktiva 98/34/EC e ndryshuar sipas Direktivës 98/48/EC parashtron procedurën për ofrimin e informacionit në fushën e standardeve dhe rregulloreve teknike dhe rregullave mbi shërbimet e Shoqërisë së Informacionit.

     F.  Konventa e Këshillit të Europës për mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin e të dhënave personale", e ashtuquajtura Konventa 158. Në mënyrën se si është ndërtuar jeta jonë e individëve sot dhe nga mënyra se si monitorohen ose kontrrollohen vende apo veprimtari të caktuara publike dhe rpivate për individin sjell si pasojë krijimin e një banke me informacione dhe të dhëna që kanë natyrë edhe publike, edhe private. Këtu përfshihen  të dhënat mbi: gjeneralitetet që  kanë të bëjnë me gjendjen civile; të dhëna që kanë të bëjnë me veprimet juridike që kryhen përmes gjykatës, noterisë, prokurorisë, policisë; Veprimet juridike që kryhen përmes sistemit bankar; veprimet juridike që lidhen me qarkullimin rrugor, veprimet juridike që kryhen pranë institucioneve që ofrojnë shërbimiin në fushën e shëndetësisë; veprimtaria pranë institucioneve me natyrë arsimore dhe edukative; të dhënat që lidhen me deklarimin e pasurisë si një individ apo me një nënpunës publik për shkak të detyrës; me deklarimet e përmbushjes së detyrimeve fiskale; të dhëna që lidhen me pasuritë e paluajtshme të regjistruara në ZRPP-në; të dhëna që lidhen me verpimtarinë tregtare të regjistrura nëQKB-në; të dhëna që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe me pastërtinë e firgurës nga pikëpamja penale; Të dhënat e tabulateve që lidhen me komunikimin me telefoninë celulare ose me komunikim elektronik; etj.


Albanian Legal Framework

Sipas ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin Nr. 48/2012 “Për mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtja e të dhënave personale bazohet: 

     a)  në përpunimin në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme; 

     b)  në grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime; 

     c)  në mjaftueshmërinë e të dhënave, të cilat duhet të lidhen me qëllimin e përpunimit dhe të mos e tejkalojnë këtë qëllim; 

     ç)  në saktësinë që të dhënat duhet të kenë dhe, kur është e nevojshme, duhet të përditësohen; duhet ndërmarrë çdo hap i arsyeshëm për të fshirë apo korrigjuar të dhëna të pasakta apo të paplota, në lidhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur apo për të cilin përpunohen më tej; 

     d)  në mbajtjen në atë formë, që të lejojë identifikimin e subjekteve të të dhënave për një kohë, por jo më tepër sesa është e nevojshme për qëllimin, për të cilin ato janë grumbulluar ose përpunuar më tej. 


Kriteret ligjore për përpunimin. 
Të dhënat personale përpunohen vetëm: 

     a)  nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin; 

     b)  nëse përpunimi është thelbësor për përmbushjen e një kontrate, për të cilën subjekti i të dhënave është palë kontraktuese, apo për diskutime ose ndryshime të një projekti/kontrate me propozimin e subjektit të të dhënave; 

     c)  për të mbrojtur interesat jetikë të subjektit të të dhënave; 

     ç)  për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit; 

     d)  për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik ose ushtrimin e një kompetence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat; 

     dh)  nëse është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të kontrolluesit, marrësit apo personave të tjerë të interesuar. Por, në çdo rast, përpunimi i të dhënave personale nuk mund të jetë në kundërshtim të hapur me të drejtën e subjektit të të dhënave për mbrojtjen e jetës personale dhe private. 

Përpunuesi, që merret me përpunimin e të dhënave personale, me qëllim ofrimin e mundësive për biznes apo të shërbimeve, mund të përdorë për këtë qëllim të dhëna personale të marra nga lista publike të dhënash. Përpunuesi nuk mund të vazhdojë përpunimin më tej të të dhënave të specifikuara në këtë paragraf, nëse subjekti i të dhënave ka shprehur mospajtim ose ka kundërshtuar përpunimin e mëtejshëm të tyre. Asnjë e dhënë personale shtesë nuk mund t’i bashkëlidhet të dhënave të specifikuara më lart, pa pëlqimin e subjektit të të dhënave. 

Mbledhja e të dhënave personale, që lidhen në mënyrë unike me një subjekt të dhënash, për arsye të tregtimit të drejtpërdrejtë, lejohet vetëm nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e shprehur qartë.


Të drejtat e subjektit të të dhënave 


     1. E drejta për akses.
Çdo person ka të drejtë që pa pagesë me kërkesë me shkrim, të marrë: 

          a)  konfirmimin nëse të dhënat personale po i përpunohen ose jo, informacion për qëllimin e përpunimit, për kategoritë e të dhënave të përpunuara dhe për marrësit e kategoritë e marrësve, të cilëve u përhapen të dhënat personale; 

          b)  në një formë të kuptueshme, të dhënat personale dhe informacionin e disponueshëm për burimin e tyre; 

          c)  në rastet e vendimeve automatike, informacion për logjikën e përfshirë në vendimmarrje. Informacioni për të dhënat komunikohet në formën, në të cilën ishin në kohën kur është bërë kërkesa. 

          ç)  E drejta për akses ushtrohet në përputhje me parimet kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe informacionit, lirisë së shtypit dhe sekretit profesional dhe mund të kufizohet, nëse cenon interesat e sigurisë kombëtare, politikën e jashtme, interesat ekonomikë dhe financiarë të shtetit, parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale. 

     
     2.  E drejta për të kërkuar bllokimin, korrigjimin ose fshirjen Çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kërkojë bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave pa pagesë, kur vihet në dijeni se të dhënat rreth tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. 

Kontrrolluesi i të dhënave brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së subjektit të të dhënave, duhet ta informojë atë për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e bllokimit, korrigjimit apo të fshirjes. Kur kontrolluesi nuk bën bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave të kërkuara prej tij, subjekti i të dhënave ka të drejtë të ankohet te komisioneri për mbrojtjen e të dhënave.


     3.  E drejta për të kundërshtuar 

Subjekti i të dhënave ka të drejtë të kundërshtojë, në çdo kohë, mbështetur në ligj, përpunimin e të dhënave rreth tij, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj. Subjekti i të dhënave ka të drejtë pa pagesë t'i kërkojë kontrolluesit të mos fillojë ose, nëse përpunimi ka filluar, të ndalojë përpunimin e të dhënave personale, që lidhen me të, për qëllime të tregtimit të drejtpërdrejtë si dhe të informohet përpara përhapjes për herë të parë të të dhënave personale për këtë qëllim. 


     4.  E drejta për t'u ankuar 

Çdo person, që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë komisionerin dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Pas këtij ankimi, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, subjekti i të dhënave mund të ankohet në gjykatë. Në rast se subjekti i të dhënave ka bërë ankim, kontrolluesi nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale deri në dhënien e vendimit përfundimtar.



Detyrimet e kontrolluesit 


     1.  Detyrimi për informim 

Kontrolluesi, kur mbledh të dhëna personale, duhet të informojë subjektin e të dhënave për fushën dhe qëllimin, për të cilin do të përpunohen të dhënat personale, për personin që do t’i përpunojë të dhënat, për mënyrën e përpunimit, përveç rastit kur subjekti i të dhënave është në dijeni të këtij informacioni. Kontrolluesi duhet të informojë subjektin e të dhënave për të drejtën për akses, si dhe të drejtën për korrigjim të të dhënave të tij. Në rast se kontrolluesi përpunon të dhëna personale, të marra nga subjekti i të dhënave, ai është i detyruar të informojë subjektin e të dhënave nëse dhënia e të dhënave personale është e detyrueshme apo vullnetare. Nëse subjekti i të dhënave, në bazë të një akti ligjor ose nënligjor, është i detyruar të japë të dhëna personale për përpunim, kontrolluesi e informon edhe rreth këtij fakti, si dhe rreth pasojave të refuzimit të dhënies së të dhënave personale. 


     2.  Detyrimi për korrigjim ose fshirje

Kontrolluesi kryen vetë ose me kërkesë të subjektit të të dhënave bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale, kur vëren se janë të parregullta, të pavërteta, të paplota ose janë përpunuar në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. Kontrolluesi, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës së subjektit të të dhënave, informon subjektin e të dhënave për kryerjen apo moskryerjen e bllokimit, korrigjimit ose të fshirjes. Kontrolluesi informon marrësin e të dhënave personale për korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale, të transmetuara para korrigjimit apo fshirjes.


          Detyrimet e përpunuesit 

Çdo përpunues i të dhënave personale ka këto detyrime: 

     a)  të përpunojë të dhënat vetëm në përputhje me udhëzimet e kontrolluesit; të mos i transmetojë ato, përveç kur ka marrë udhëzim nga kontrolluesi; 

     b)  të marrë të gjitha masat e sigurisë, sipas këtij ligji dhe të punësojë operatorë, të cilët kanë detyrimin për ruajtjen e fshehtësisë; 

     c)  të krijojë, në marrëveshje me kontrolluesin, kushtet e nevojshme teknike dhe organizative për përmbushjen e detyrimeve të kontrolluesit, për të siguruar të drejtat e subjekteve të të dhënave personale; 

     ç)  t'i dorëzojë kontrolluesit, pas përfundimit të shërbimit të përpunimit, të gjitha rezultatet e përpunimit dhe dokumentacionit, që përmban të dhëna ose t'i mbajë apo t'i shkatërrojë ato me kërkesë të kontrolluesit; 

     d)  të vërë në dispozicion të kontrolluesit të gjithë informacionin e nevojshëm, për të kontrolluar përputhshmërinë me detyrimet, që rrjedhin sipas shkronjave të mësipërme. 

Këto detyrime janë pjesë e kontratës së lidhur midis përpunuesit dhe subjektit privat.

Produkti u shtua në listën tuaj të dëshirave
Produkti u shtua për t'u krahasuar.

This site uses cookies and other tracking technologies to assist with navigation and your ability to provide feedback, analyse your use of our products and services, assist with our promotional and marketing efforts, and provide content from third parties.