Your cart
There are no more items in your cart
Peter Bartl është sot padyshim një ndër studiuesit më seriozë e më të rëndësishëm të albanologjisë. Ka lindur në vitin 1938 në Cottbus, Gjermani. Pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës juglindore e më ngushtë Shqipërisë. Prej vitit 1980 e deri më 2004, ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në universitetin e Mynihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë. Ndër veprat e tij mund të përmenden "Muslimanët shqiptarë në kohën e lëvizjes për pavarësi" 1968; "Ballkani perëndimor midis Monarkisë spanjolle dhe Perandorisë osmane", 1974. Vepra e tij e fundit është vepra madhore me disa vëllime "Albania sacra: Relacione të vizitave baritore prej Shqipërisë." Vepra parashikohet të përfshijë pesë vëllime dhe paraqet mundin e punës së tij shumëvjeçare në hulumtimin e në përgatitjen e një serie të gjatë dokumentesh që hedhin dritë mbi periudha dhe probleme të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Deri tani janë botuar tre prej vëllimeve kushtuar Dioqezës së Lezhës (2007); Dioqezës së Durrësit (2011) dhe asaj të Sapës (2014).