Your cart
There are no more items in your cart
A mund të ekzistojnë lumturi të papërfillshme? E si mund t'i quash ndryshe ato kënaqësi të thekshme e ikanake që shenjojnë ditët tona, duke përflakur minutat si fijet e shkrepëseve në errësirë? Me shkreptima rrufeje, fshikullima kamxhiku dhe histori, Francesco Piccolo nxjerr cullak me një humorizëm të pamëshirë vetëtimat më verbuese të ngazëllimit, regëtimat, të fshehtat e strukura në skutat më të thella me të cilat herët a vonë të gjithë duhet të përballemi. Faqe pas faqeje, çast pas çasti, përfshihesh nga një shkulm i pandalshëm hareje, inteligjence dhe çmeritjeje. Pas suksesit të madh që korri Çaste lumturie të papërfillshme, Francesco Piccolo kthehet të tregojë ngazëllimin e çasteve që përbëjnë jetën, vetëm se këtë radhë orvatet t'i shohë nga ana e gabuar. Duke i qëmtuar me kujdes ditët derisa zbulon se si në çdo kleçkë të bëftë që të ndodh, qoftë edhe më e bezdisshmja, fshihet dicka e paçmuar: një shkëndijë sfilitëse zbavitjeje dhe vitaliteti. Secili prej nesh provon gjatë ditës një mijë e një forma të papërfillshme (dhe jo të parëndësishme) trishtimi. Por të lind dyshimi që është "si shkopinjtë e shangait"; nëse do të tërhiqja gjënë që më pëlqen më pak nga njeriu që dua, do të rrëzohej edhe ajo që më pëlqen më shumë. Të qeshësh me çastet e trishtimit është një kontradiktë nga ato që mund të të ndryshojnë ditën. E megjithatë, po t'ua gjesh anën, kleçkat e papritura, aksidentet, dhimbjet therëse të çastit, shpesh rezultojnë tejet zbavitëse. Nëse janë të papërfillshme për nga rëndësia dhe përjetohen me ngazëllim, përfshihen me të drejtë te gëzimet e jetës. Dhe askush s'di ta rrëfejë më mirë se Francesco Piccolo, i cili me çastet që e përbëjnë jetën krijon një enciklopedi finoke e fort zbavitëse që mund ta marrësh me vete gjithkund.